
23/07/2025
Agim Ademi kujton legjendën Fadil Vokrri: Vepra e tij flet ende në çdo stadium e fanellë të Kosovës
Sot, më 23 korrik, në ditën kur legjenda e futbollit mbarëkombëtar dhe ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, do të mbushte 65 vjet, presidenti aktual i FFK-së, Agim Ademi, ka bërë një postim emocional në rrjetet sociale për të kujtuar mikun dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë.
“Sot është një ditë që ngjall mall, krenari dhe shumë emocione për të gjithë ne që jemi pjesë e komunitetit të futbollit dhe jo vetëm”, ka shkruar Ademi në fillim të postimit, duke theksuar se Fadil Vokrri nuk ishte vetëm një emër i madh i sportit, por një figurë e jashtëzakonshme që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.
Në mesazhin e tij, presidenti i FFK-së ka kujtuar kontributin e madh të Vokrrit si futbollist dhe si lider në krye të institucionit të futbollit të Kosovës:
“Me karrierën e tij të bujshme dhe përkushtimin e tij në krye të FFK-së, ai e bëri Kosovën pjesë të hartës botërore të futbollit”.
Ademi ka shtuar se ka pasur fatin të jetë pranë Fadilit në momentet më të rëndësishme të këtij rrugëtimi, përfshirë edhe arritjen historike të anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, prandaj sot e ndjen thellë mungesën e tij.
“Vokrri jetoi pak, por la trashëgimi të madhe. Vepra që flasin ende, çdo ditë, në çdo stadium dhe në çdo fanellë”.
Ai përmbylli postimin me një mesazh prekës që pasqyron respektin dhe dashurinë e tij të vazhdueshme për figurën e Vokrrit:
“Fadili nuk është fizikisht me ne tash e 7 vjet, por ai mbetet i pranishëm në çdo hap që ne bëjmë përpara. Ai është në rrënjët e çdo suksesi, në kujtesën e çdo dashamiri të futbollit dhe përjetë në zemrat tona. Lavdi e përjetshme, miku im i shtrenjtë!”
Fadil Vokrri mbetet një nga figurat më të mëdha të sportit shqiptar, jo vetëm për sukseset si futbollist, por edhe për rolin kyç në afirmimin ndërkombëtar të futbollit të Kosovës. Ai u nda nga jeta më 9 qershor të vitit 2018, por trashëgimia e tij vazhdon të jetë e gjallë në zemrat e të gjithëve.