08/09/2026
Prizreni sonte do të mirëpresë hapjen e edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Turk, një ngjarje kulturore që do të mbledhë artistë dhe trupa teatrore nga vende të ndryshme, me moton "Arti Bashkon".
Ceremonia zyrtare e hapjes do të mbahet mbrëmjen e sotme, ndërsa festivali do të nisë me shfaqjen "Tiyatro Karnavalı", e realizuar nga Teatrot Shtetërore të Izmirit.
Gjatë gjashtë ditëve të festivalit, publiku do të ketë mundësi të ndjekë një program të pasur me shfaqje teatrore për të rritur dhe fëmijë, punëtori, panele diskutimi, ekspozita, performanca në hapësira të hapura dhe aktivitete të tjera kulturore. Përveç Prizrenit, aktivitetet do të zhvillohen edhe në Prishtinë, Pejë, Gjilan dhe Mamushë.
Në këtë edicion pritet të marrin pjesë mbi 100 artistë, aktorë dhe profesionistë të kulturës nga Kosova, Turqia, Republika Turke e Qipros së Veriut, Maqedonia e Veriut, Italia, Bullgaria, Austria dhe Kazakistani.
Organizatorët theksojnë se festivali synon të forcojë bashkëpunimin kulturor ndërkombëtar përmes teatrit, të promovojë trashëgiminë e teatrit në gjuhën turke në Kosovë dhe Ballkan, si dhe ta afrojë artin skenik me publikun përmes aktiviteteve të organizuara edhe në sheshet dhe hapësirat publike të qytetit.
Festivali do të zgjasë deri më 13 shtator, kur edhe do të mbahet ceremonia përmbyllëse në Shtëpinë e Kulturës "Xhemajli Berisha" – Skena "Bekim Fehmiu" në Prizren.