18/11/2025
🥰🥰🥰
Një darkë me gjyshin!
Një pamje si kjo nuk mbaj mend kur e kam parë për herë të fundit!
Në mbrëmjen e së hënës mora rrugën drejt një qyteti të vjetër të Kosovës, Vushtrrisë. Telefonova mikun tim, Naimin, dhe e pyeta nëse kishte kohë për një kafe e muhabet qejfi. Si zakonisht, shkuam në një restorant ku pritja është njerëzore, shërbimi me zemër dhe interieri i mrekullueshëm.
U ulëm dhe iu përveshëm muhabetit pa protokoll — për Shkup e për Shkodër. Biseda me Naimin ishte e ngrohtë dhe aq e thelluar, sa pothuaj na humbën gjërat përreth. Megjithatë, diçka e rrallë dhe e bukur ma tërhoqi vëmendjen.
U detyrova t’i vështroja një nga një tavolinat e restorantit. Asgjë e veçantë, përveç asaj që kishim përballë. Aty rrinin ulur dy persona: një burrë mbi të ’80-at dhe një vajzë rreth të 30-ave. Vetëm ata të dy.
Nuk dëgjoheshin fjalët e tyre, por fytyrat u shkëlqenin nga lumturia. M’u duk se ishin gjysh e mbesë. Porositën për të pirë; pak më vonë u sollën edhe darkat. Vajza — ndoshta mbesa — më shumë dëgjonte sesa fliste. E shikonte drejt në sy, me një përkushtim të lartë. Ndërsa gjyshi i fliste me admirim, me qetësi e me dashuri.
Kur mbaruan darkën dhe u ngritën për t’u larguar, mendova se aty mori fund kjo skenë e rrallë. Por jo. Nuk kisha parë ende kulmin. Vajza nxori portofolin të paguante, por gjyshi nuk e la. Nxori paratë nga xhepi i vogël i këmishës dhe pagoi vetë!
Në një kohë kur, fatkeqësisht, të rrallë janë ata që mendojnë për prindërit e tyre, e lëre më për gjyshërit, ajo që pashë ishte provë e qartë se vlerat njerëzore qëndrojnë mbi ato materiale.
Nuk jam piktor, por këtë skenë do ta kisha kthyer me kënaqësi në një kornizë muri — si simbol të virtyteve të larta njerëzore.
Ishte darka që i dha vlerë të shumëfishtë udhëtimit tim atë natë.
Ah, gati harrova t’ju them: tavolinat e tjera në restorant ishin të mbushura me miq, bashkëshortë, shokë e shoqe — por asnjë nuk rrezatonte aq bukur sa ajo tavolinë me gjyshin dhe mbesën.
Mehdi Mulaj