08/05/2026
Në vitin 2026, Kosova shënon 20-vjetorin e transmetimit të pandërprerë të Eurovision Song Contest në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), një fakt që dëshmon lidhjen e fortë dhe të vazhdueshme të publikut kosovar me festivalin më të madh muzikor në Evropë. Që nga viti 2006, transmetimi i Eurovisionit në Kosovë ka qenë konstant, duke mbetur një nga programet me interes të lartë publik dhe me ndikim të rëndësishëm kulturor.
Megjithatë, përkundër këtij kontinuiteti dhe përkushtimi institucional në transmetim, Kosova ende mbetet jashtë garës si shteti i vetëm në rajon pa mundësi përfaqësimi të drejtpërdrejtë në këtë platformë ndërkombëtare. Kjo gjendje është jo vetëm paradoksale, por edhe e padrejtë në raport me potencialin artistik dhe kulturor që vendi posedon.
Kosova duhet të jetë pjesë e Eurovision Song Contest. Ky qëndrim nuk mbështetet vetëm në argumentin emocional apo dëshirën kolektive të publikut, por në një bazë konkrete artistike, kulturore dhe strategjike. Kosova ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë artistë me ndikim ndërkombëtar, me standarde të larta performative dhe me kapacitet të dëshmuar për konkurrencë në skena globale.
Artistët shqiptarë nga Kosova dhe hapësira shqiptare kanë arritur suksese të konsiderueshme në industrinë muzikore ndërkombëtare, duke dëshmuar se talenti, kreativiteti dhe profesionalizmi nuk mungojnë. Kjo përbën një argument të fuqishëm se Kosova jo vetëm meriton pjesëmarrjen, por ka potencial real për të qenë konkurrente serioze në Eurovision.
Pjesëmarrja e Kosovës në Eurovision do të kishte ndikim shumëdimensional. Në aspektin kulturor, ajo do të shërbente si promovim i identitetit kombëtar, diversitetit artistik dhe trashëgimisë sonë muzikore. Në aspektin diplomatik, do të ishte një formë e fuqishme e afirmimit ndërkombëtar dhe integrimit më të thellë në hapësirën evropiane.
Ne si platformë që mbështesim artin, kulturën dhe institucionet publike të Republikës së Kosovës, konsiderojmë se është koha që ky synim të trajtohet me seriozitet më të madh institucional. RTK, Filharmonia e Kosovës dhe institucionet përkatëse duhet të kenë mbështetje të plotë në përpjekjet për avancimin e këtij procesi.
Pas 20 vitesh transmetim të pandërprerë, interesim masiv publik dhe potencial të pakontestueshëm artistik, argumentet tashmë janë të qarta: Kosova duhet të jetë pjesë e Eurovision Song Contest.
Kjo nuk është vetëm çështje pjesëmarrjeje në një festival muzikor. Është çështje përfaqësimi, identiteti dhe pozicionimi kulturor të shtetit tonë në Evropë.
Në këtë kontekst, ftojmë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe znj. Saranda Bogujevci, në cilësinë e Ministres së Kulturës, që të trajtojë me prioritet çështjet që ndërlidhen me afirmimin artistik, diplomacinë kulturore dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Angazhimi institucional në fushën e kulturës nuk duhet të kufizohet vetëm në menaxhimin administrativ të politikave publike, por të shtrihet edhe në mbështetjen aktive të projekteve strategjike që kontribuojnë në ndërkombëtarizimin e artit dhe identitetit kulturor të vendit.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci