17/11/2025
Ka më shumë se një dekadë që bashkëpunoj me shkrimtarin Arif Molliqi. Ia kam botuar disa libra dhe ia kam lexuar të gjithë librat. Fjalët dhe fjalitë e tij, poetike, publicistike, romanore, studimore..., i dalloj në pikë të territ. Edhe poezitë më të mira të tij, sipas shijes sime, i kam dalluar pas redaktimit që i kam bërë kësaj përzgjedhjeje. Kam herrur, nga vëllimi prej pesëqind faqesh me poezi, rreth dyqind e pesëdhjetë faqe tekst. Por, para se ta fillonim bashkëpunimin për përgatitjen e kompletit të plotë të veprës së tij, na erdhi ideja ta përgatitim këtë përmbledhje me poezi, me titull Ata udhëtonin pa e ditur fundin, e cila është një retrospektivë poetike dhe përfshin krijimtarinë e tij më të mirë krijuar që pesë dekada, prej vitit 1975 deri më 2025.
Kjo përmbledhje është një “biografi poetike”. Në të përmblidhet rrugëtimi shpirtëror, estetik dhe jetësor i Molliqit në kohë dhe hapësirë. Vokacioni i tij është kritik, social, politik dhe kulturor edhe në poezi. Ai ka kujtesë dhe ka shpresë. Ka revoltë, prandaj shpreh pakënaqësi. Ai ka rrënjë (në Llukën e Epërme) dhe plagë shpirtërore të cilat i bart nëpër kohë dhe nëpër vende. Për atdheun dhe për atdhetarët nuk shkruan me idealizëm romantik, por me realizëm emocional. Në këtë përmbledhje lexuesi ndien frymën e një poeti që ka ecur mes epokash dhe përvojash, duke i dhënë fjalës formë kujtese, dhimbjeje, ironie dhe lirie.
Në faqet e këtij libri ndeshim një mozaik temash dhe motivesh: nga absurdi dhe ironia e realitetit modern, te reflektimi për lirinë, dashurinë, mërgimin, atdheun dhe njeriun përballë vetes e kohës. Në poezitë Burri që hante djathë zviceran, Njeriu me sy të qelqtë, Kafshë e ligë, Kur qeni i shtëpisë nuk më njeh dhe Në ‘Monako’ të kryeqytetit, ironia e ekzistencës shfaqet si një mjet i thellë filozofik. Ato paraqesin njeriun modern të zvetënuar, të huaj në botën e vet, të zhytur në paradokset e përditshme mes luksit dhe boshllëkut, mes lirisë dhe vetmisë.
Për Molliqin bota është një teatër grotesk, ku vlerat përmbysen çdo ditë, ndërsa koncepti i lirisë mbetet thelbësor, por jo i thjeshtë: liria nuk është dhuratë, por barrë dhe përpjekje e përhershme.
Poeti vëzhgon me sy kritikë, por edhe me ndjeshmëri njerëzore. Ai reflekton për realitetin social dhe politik pa rënë në grackën e propagandës mediale për tema të ndryshme sociale dhe kombëtare. Në vargjet e tij kujtesa është e gjallë, por shpresa e drobitur; rrënjët janë të forta, por plagët e hapura. Vendlindja e tij, Lluka e Epërme, shfaqet si hapësirë e dhimbjes dhe e mallëngjimit, më shumë se vend idealizimi. Atdheu për të nuk është figurë mitike, por vend i gjallë, i përflakur nga historia dhe i gjymtuar nga harresa.
Në këtë univers poetik Molliqi shfaqet si dëshmitar moral i kohës, si kronikan i luftërave, i pandemive, i zhgënjimeve shoqërore dhe boshllëqeve morale. Ai nuk shfrytëzon retorikën për shpërthim, por e shpërthen atë përmes dramës njerëzore, përmes figurave që bartin peshën e historisë. Poezia e tij i kundërvihet harresës me kujtesë, e heshtjes me fjalë të përmbajtura.
Dashuria në krijimtarinë e tij është përvojë ekzistenciale, shpesh metaforë për shpëtim, por edhe për rënien e njeriut në humnerë. Në këtë kontekst, gruaja në poezinë e Molliqit është figurë shumëdimensionale: është nënë, është e dashur, është mëkatare, është shpëtimtare. Përmes dashurisë prindërore dhe dashurisë në mes të partnerëve poeti mat thellësinë e jetës dhe të kohës, duke ndërthurur ndjenjën me arsyen, mitin me realitetin. Vajza/gruaja në poezitë e tij është tokësore dhe mitike; herë nënë, herë e dashur, herë mëkatare si Eva. Ai, duke i bërë personazhe këto qenie njerëzore, bashkon racionalen me ndjesinë.
Gjuha e tij është ironike, sarkastike dhe plot figuracion. Është gjuhë që nuk kërkon vetëm të kuptohet, por edhe të përjetohet. Ai krijon atmosferë, ritëm dhe vjegëza mendimi. Simbolet në poezitë e tij, zogjtë, qeni, gjarpri, Drini, kulla, drita, terri, shiu e shumë e shumë të tjera, ndërtojnë një botë poetike të veçantë, ku çdo element është i dyfishtë: i bukur dhe i frikshëm, i afërt dhe i largët. Në këtë botë poetike të tij, realizmi i përditshëm përzihet me simbolizmin e heshtur, duke e bërë poezinë e Molliqit ndërthurje të fortë mes jetës dhe artit.
Në poezinë Kur qeni i shtëpisë nuk më njeh përmblidhet e gjithë drama e mërgimtarit: njeriut që s’njihet më në shtëpinë e vet. Ky varg i vetëm peshon sa një roman që ballafaqon përplasjet mes njerëzve, vendlindjeve, kohëve dhe humbjeve. Mërgimi, në këtë kontekst, s’është udhëtim gjeografik, por gjendje shpirtërore: ndarje e dyfishtë mes atdheut që nuk e njeh më dhe botës që nuk e pranon plotësisht ashtu si është. Prandaj, shumë prej poezive të tij janë transkulturore, të shkruara në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Evropës, si përpjekje për të gjetur kuptim, por jo për t’u arratisur prej tyre. Kësisoj, Molliqi është hulumtues i shpirtit njerëzor dhe kritik i shoqërisë. Ai i mbledh fragmentet e jetës së shpërndarë - kujtimet, humbjet, dashuritë, plagët... kujtesën familjare, edhe rrënjët e dashura të trungut familjar që s’i ka më e që i kujton shpesh (nënën, babanë, motrat, vëllezërit...).
Edhe kur shkruan për luftën, për heronjtë, për ikjet e kthimet, Molliqi ruan tonin njerëzor. Ai e njeh peshën e çdo fjale dhe fuqinë e heshtjes. Ironia, në poezitë e tij, bëhet formë mbrojtjeje, por edhe mënyrë për ta treguar absurditetin e botës, ndryshimet e gjeneratave dhe vlerat e tyre.
Përmbledhja Ata udhëtonin pa e ditur fundin mund të lexohet si rrëfim i poetit modern shqiptar që ka jetuar midis dy botëve: asaj që po lë pas dhe asaj që s’e bëri dot si e mendonte. Së këndejmi, është “biografi poetike” e një shpirti që kërkon kuptim në një realitet që shpesh s’ka kuptim, që ndien barrën e kohës, por beson në fuqinë e fjalës për ta shmangur njeriun nga heshtja dhe për t’ia hapur gojën dhe horizontin e mendimeve.
Në fund të këtij udhëtimi poetik, pas gjithë mërgimeve e dashurive, pas zogjve të vrarë dhe kujtimeve të mbetura në dritë e hije, Molliqi gjen prehje te fjala. Vetëm fjala - e thënë, e shkruar dhe e përjetuar - mund ta ruajë nga harresa dhe ta bëjë të pavdekshëm. Prandaj, kjo përzgjedhje mund të konsiderohet dëshmi e një jete të jetuar me ndershmëri, dhimbje dhe dinjitet, në të cilën e zeza shkruhet në të bardhë, por edhe të mirat dhe dobësitë e njerëzve dhe të botës përskaj tij.
Ndërkaq sa i përket gjuhës poetike të Molliqit, ajo është ironike dhe sarkastike. Ai nuk shkruan vetëm për t’u kuptuar, por edhe për t’u ndier. Ai ndërton atmosferë dhe nxit lexuesit për reflektim. Universi simbolik i tij shëtitet mes lirisë, shpresës dhe vdekjes, më tutje midis njohjes dhe humbjes. Me këtë përzgjedhje poezish, edhe me ato që ka shkruar për vite të tëra, Molliqi edhe qe bërë dhe dëshmoi edhe një herë tjetër se është një nga zërat më koherentë të poezisë së mërgatës shqiptare, që arrin ta mbajë lidhjen me trungun e origjinës, duke e pasuruar atë me përvojën e Evropës moderne, por gjithherë duke ruajtur thelbin kombëtar dhe human.
Armagedoni