KosovaExpress

KosovaExpress Contact information, map and directions, contact form, opening hours, services, ratings, photos, videos and announcements from KosovaExpress, Media/News Company, Pristina.

Lejet mjedisore me dokumente të paplota, pak kontrolle në terren Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka shqyrtuar kërkesa për ...
01/08/2026

Lejet mjedisore me dokumente të paplota, pak kontrolle në terren

Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka shqyrtuar kërkesa për leje mjedisore pa garantuar verifikimin e plotë të dokumentacionit të paraqitur nga subjektet, sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

KLSH tha se mangësitë në dokumentacion dhe në kontrollin e tij nga strukturat përgjegjëse krijojnë rrezikun që vendimet për aktivitetet me ndikim në mjedis të mbështeten në të dhëna të paplota ose të pasakta.

“Procesi i shqyrtimit dhe miratimit të lejeve mjedisore nuk ka garantuar verifikim të plotë dhe të mjaftueshëm të dokumentacionit të paraqitur nga subjektet,” thuhet në raport. Sipas audituesve, kjo ka sjellë “vendimmarrje të bazuar në informacion të paplotë ose jo të verifikuar”.

Auditimi mbuloi veprimtarinë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për periudhën 2023-2025 dhe të katër Agjencive Rajonale të Mjedisit në Tiranë, Berat, Lezhë dhe Fier për periudhën 2021-2025.

KLSH konstatoi se databazat e lejeve mjedisore nuk ishin të unifikuara dhe përmbanin të dhëna të papërditësuara, të mbivendosura ose të pasakta. Kjo e vështirëson identifikimin e lejeve aktive dhe kontrollin e subjekteve që zhvillojnë veprimtari me ndikim në mjedis.

Suedia lehtëson procedurat për lejet e minierave
“Databazat e lejeve mjedisore nuk janë të unifikuara dhe përmbajnë të dhëna të papërditësuara dhe të mbivendosura,” thuhet në raport. KLSH vlerëson se kjo “dobëson administrimin dhe kontrollin e aktiviteteve me ndikim në mjedis”.

Mangësi u evidentuan edhe në administrimin e raporteve të vetëmonitorimit, dokumente që subjektet me leje duhet të dorëzojnë për të treguar respektimin e kushteve mjedisore. Sipas auditimit, këto raporte nuk regjistroheshin dhe nuk ndiqeshin në mënyrë të standardizuar, duke kufizuar mundësinë për të identifikuar subjektet me risk dhe për të planifikuar kontrollet.

“Administrimi i raporteve të vetëmonitorimit nuk është i standardizuar dhe kryhet në mënyrë të fragmentuar,” thuhet në raport. Kjo, sipas KLSH-së, dobëson gjurmueshmërinë dhe planifikimin e inspektimeve.

Probleme u konstatuan edhe në procedurat e vlerësimit të ndikimit në mjedis, të cilat paraprijnë miratimin e projekteve që mund të shkaktojnë ndotje ose dëmtime të tjera.

KLSH tha se institucionet e përfshira nuk jepnin gjithmonë mendimet e kërkuara, ndërsa verifikimet në terren ishin të pakta dhe pjesëmarrja në konsultimet publike ishte e ulët.

“Procesi i VNM dhe Deklaratave Mjedisore karakterizohet nga mungesë mendimesh nga institucionet, verifikime të pakta në terren dhe pjesëmarrje e ulët në konsultime publike,” thuhet në raport. “Si pasojë, vendimmarrja mbetet shpesh formale dhe jo e bazuar në vlerësim të plotë.”

Auditimi evidentoi gjithashtu dobësi në regjistrat e licencave për veprimtaritë e menaxhimit dhe transferimit të mbetjeve. Regjistrat rezultuan të pasaktë dhe të pastrukturuar, me kode të përsëritura dhe mospërputhje në identifikimin e subjekteve.

Sipas KLSH-së, raportimi i transfertave të mbetjeve ishte i ulët dhe rastet e mungesës së raportimit nuk ndiqeshin rregullisht me inspektime. Kjo kufizon gjurmimin e destinacionit të mbetjeve dhe kontrollin mbi respektimin e kushteve të licencave.

“Raportimi i transfertave të mbetjeve nga subjektet është i ulët dhe nuk shoqërohet me inspektime apo ndjekje nga AKM,” thuhet në raport. Kjo “dobëson ndjeshëm monitorimin, gjurmueshmërinë dhe zbatimin e detyrimeve ligjore”.

KLSH rekomandoi që AKM të krijojë një databazë të vetme për lejet mjedisore të tipit A dhe B dhe të verifikojë plotësisht dokumentacionin para se aplikimet të kalojnë për vendimmarrje.

Audituesit kërkuan gjithashtu më shumë verifikime në terren, ndjekje të subjekteve që nuk dorëzojnë raportet e vetëmonitorimit dhe rishikim të regjistrave të licencave të mbetjeve për të eliminuar dublikimet dhe pasaktësitë.

Sipas raportit, AKM duhet të sigurojë që vendimet për lejet dhe vlerësimet mjedisore të mbështeten “në fakte praktike dhe jo vetëm në referenca ligjore”/Monitor

Kostoja ekonomike e El Niño-s, si e prek Shqipërinë Në muajt e parë të vitit, Shqipëria kishte energji për të sh*tur. Në...
01/08/2026

Kostoja ekonomike e El Niño-s, si e prek Shqipërinë

Në muajt e parë të vitit, Shqipëria kishte energji për të sh*tur. Në verë, po paguan 41.5 milionë euro për ta importuar të paktën deri tani. Kjo kthesë nuk është e pazakontë. Ajo është përsëritur ndër vite, pasi varësia e prodhimit vendas të energjisë nga reshjet dhe prurjet hidrike mbetet e lartë. Këtë herë po ndodh ndërsa kërkesa për energji po rritet nga temperaturat e larta dhe fluksi turistik.

Në të njëjtën kohë, stuhitë dhe breshëri kanë dëmtuar prodhimin bujqësor, ndërsa çmimet e perimeve u rritën me 8.5% në qershor, pikërisht në kulmin e sezonit vendas.

Emëruesi i përbashkët është një mot më i nxehtë dhe më i paqëndrueshëm. El Niño është pjesë e këtij sfondi, por jo një shpjegim i vetëm për çdo valë të nxehti, stuhi apo rritje çmimesh.

“El Niño ndikon në klimën globale, por ndikimi i tij në Mesdhe dhe në Shqipëri nuk është i drejtpërdrejtë”, thotë Anira Gjoni, eksperte në Departamentin e Meteorologjisë në Institutin e Gjeoshkencave.

Sipas saj, kushtet meteorologjike në vend përcaktohen kryesisht nga sistemet atmosferike që zhvillohen mbi Atlantik, Mesdhe dhe Europë, si dhe nga qarkullimi rajonal i masave ajrore. Këto sisteme mund ta përforcojnë, ta ndryshojnë ose ta zbusin sinjalin e lidhur me El Niño-n.

Kjo e bën të vështirë ndarjen e efektit të fenomenit nga prirja më afatgjatë e ndryshimeve klimatike. Megjithatë, ndikimi ekonomik i temperaturave mbi normalen dhe i reshjeve gjithnjë e më të çrregullta po bëhet më i matshëm.

Gjatë disa javëve të qershorit, temperaturat në Shqipëri ishin 3 deri në 6 gradë Celsius mbi mesataren shumëvjeçare. Vendi ndodhej në periferi të valës së të nxehtit që goditi më fort Europën Perëndimore dhe Qendrore, por anomalitë ishin të mjaftueshme për të shtuar presionin mbi sistemin energjetik.

“Rritja e temperaturave në vendin tonë ishte 3–6 gradë mbi mesataren shumëvjeçare gjatë javëve përkatëse të qershorit”, thotë Gjoni.

Ajo shpjegon se episodet me temperatura të larta u favorizuan nga depërtimi i masave shumë të ngrohta me origjinë subtropikale nga Afrika e Veriut. Sipas saj, këto kushte lidhen kryesisht me konfigurimin atmosferik mbi Mesdhe dhe jo me një ndikim të drejtpërdrejtë të El Niño-s.

Konsumi ditor i energjisë arriti kulmin në rreth 25 mijë megavat-orë gjatë qershorit, sipas Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, rritja ishte 13.9%.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, konsumi arriti në 4.4 milionë megavat-orë, nga 4.1 milionë një vit më parë, me një rritje prej rreth 10%.

Temperaturat e larta dhe shtimi i aktivitetit turistik po rrisin përdorimin e kondicionimit dhe ngarkesën në rrjet. Mbi 1 mijë punonjës janë vendosur në gatishmëri për sezonin veror, ndërsa 136 grupe janë shpërndarë në terren për t’iu përgjigjur defekteve dhe për të shmangur ndërprerjet.

Por kostoja kryesore nuk qëndron vetëm te mirëmbajtja e rrjetit. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka kontraktuar 331,200 megavat-orë energji për periudhën nga 1 korriku deri më 30 shtator. Çmimi mesatar i ponderuar ishte 125.47 euro për megavat-orë, ndërsa vlera e përgjithshme e kontratës arriti në rreth 41.5 milionë euro.

Vetëm pak muaj më parë, situata ishte e kundërt. Prurjet e larta në kaskadën e Drinit i mundësuan KESH-it të prodhonte më shumë energji sesa kërkonte tregu vendas. Nga janari deri në prill, kompania sh*ti 456,945 megavat-orë, duke arkëtuar rreth 33.15 milionë euro, përfshirë TVSH-në.

Në bujqësi, rreziku nuk lidhet vetëm me thatësirën. Ai vjen edhe nga kalimi i shpejtë prej periudhave pa reshje në stuhi të shkurtra dhe intensive. “Periudhat më të gjata të thata, të ndërprera nga episode të shkurtra me reshje intensive, janë një nga skenarët më të mundshëm”, thotë znj. Gjoni.

Sipas saj, në kushtet e temperaturave më të larta, atmosfera ka aftësi të mbajë më shumë avull uji. Kjo mund të favorizojë reshje të përqendruara në intervale të shkurtra, duke rritur rrezikun e vërshimeve të shpejta dhe të përmbytjeve urbane.

Për muajt korrik dhe gusht, parashikimet nuk tregojnë një prirje të fortë që reshjet të jenë dukshëm mbi ose nën normalen klimatike. Ato pritet të mbeten të pabarabarta në kohë dhe hapësirë, me intervale të thata të ndërprera nga episode lokale.

“Besueshmëria e parashikimeve sezonale është më e lartë për temperaturën sesa për reshjet”, thotë Gjoni.

Ky kombinim është veçanërisht i kushtueshëm për fermerët. Periudhat e nxehta rrisin nevojën për ujitje dhe kostot e prodhimit. Stuhitë mund ta dëmtojnë prodhimin brenda pak minutash, shpesh në prag të korrjes. Në fillim të korrikut, breshëri goditi parcelat me grurë, elb dhe qepë në fushën e Maliqit.

Fermerët raportuan humbje të konsiderueshme dhe, në disa raste, dëmtimin e më shumë se gjysmës së prodhimit. Në zonat e Elbasanit u dëmtuan pemë frutore, vreshta dhe kultura të tjera.

Në Zavalinë, raportimet nga terreni flisnin për dëme të rënda në prodhimin e mollëve, kumbullave dhe rrush*t.

Në Kolonjë u prekën vreshtat. Stuhitë sollën humbje edhe në blegtori. Një rrufe vrau 150 krerë bagëti në një fermë në Delvinë, ndërsa në zonën e Maliqit një tjetër goditje vrau rreth 30 dele dhe dhi. Nuk ka ende një bilanc të plotë financiar për këto ngjarje. Megjithatë, për fermat e vogla, humbja e një prodhimi sezonal ose e një tufe bagëtish mund të zhdukë të ardhurat e të gjithë vitit.

Rreziku është më i lartë sepse prodhimi nuk është i siguruar dhe kostoja mbetet te fermeri ose zhvendoset te buxheti publik përmes kërkesave për kompensim në ato raste kur gjykohet e arsyeshme.

Çmimet rriten në kulmin e ofertës

Goditjet mbi prodhimin po ndodhin në një periudhë kur çmimet e perimeve tashmë po shfaqin rritje të fortë. Sipas INSTAT-it, grupi “Perime, zarzavate dhe bishtajore” u shtrenjtua me 8.5% në qershor krahasuar me një vit më parë. Norma ishte pothuajse trefishi i inflacionit mesatar të ushqimeve, prej 3%.

Rritja është e pazakontë për një muaj që përkon me kulmin e prodhimit të shumë kulturave vendase. Në kushte normale, shtimi i ofertës sezonale do të duhej të ulte çmimet. Këtë herë ndodhi e kundërta. Moti nuk është faktori i vetëm.

Eksportet, kostot e transportit, mungesa e fuqisë punëtore, struktura e tregtimit dhe marzhet e ndërmjetësve ndikojnë gjithashtu te çmimi final. Gjithsesi temperaturat e larta, nevoja për më shumë ujitje dhe dëmet nga breshëri krijojnë presion shtesë mbi prodhimin.

Në korrik, AKMC raportoi operacione për përballimin e 16 vatrave të zjarrit të shpërndara në disa qarqe të vendit. Në Shëngjin, më 13 korrik, flakët kërkuan angazhimin e shtatë mjeteve zjarrfikëse, Forcave të Armatosura dhe ndërhyrjen e një helikopteri ushtarak.

Agjencia raportoi edhe operacione në zona të tjera, përfshirë fshatin Klos, duke treguar se rreziku nuk ishte i kufizuar në një vatër të vetme. Nxehtësia e zgjatur dhe tharja e bimësisë e bëjnë zjarrin më të shpejtë, më të kushtueshëm dhe më të vështirë për t’u izoluar.

Në zona turistik kostoja shkon përtej sipërfaqeve të djegura. Ajo prek bizneset, sezonin turistik dhe financat publike, pasi çdo operacion kërkon personel, mjete, karburant dhe, në rastet më të rënda, mbështetje nga ajri dhe kjo është parë qartazi viteve të fundit kur sipërfaqe të mëdha në breg të detit janë përfshirë nga zjarret.

Shkaku fillestar mund të jetë njerëzor, por temperaturat më të larta shumëfishojnë pasojat. Sa më gjatë të zgjasë i nxehti, aq më shumë zjarret kalojnë nga episode sezonale në një rrezik ekonomik të përsëritur ccdo vit.

El Niño nuk është i vetmi shkaktar

“El Niño dhe ndryshimet klimatike janë dy procese të ndryshme që veprojnë njëkohësisht”, thotë Gjoni. El Niño është një fenomen natyror, ciklik dhe i përkohshëm, i cili ndikon te variabiliteti i klimës nga një vit në tjetrin. Ndryshimet klimatike përfaqësojnë një prirje afatgjatë të rritjes së temperaturave, të lidhur kryesisht me shtimin e gazeve serrë në atmosferë.

“Temperaturat e larta që po regjistrohen nuk mund t’i atribuohen vetëm El Niño-s”, thotë ekspertja. “Ai mund ta përforcojë përkohësisht ngrohjen, por vepron mbi një klimë që tashmë po ngrohet.”

Edhe parashikimet janë më të sigurta për temperaturat sesa për reshjet. Temperaturat pritet të mbeten mbi mesataret shumëvjeçare gjatë muajve në vijim, ndërsa për reshjet nuk ka një sinjal të qartë nëse do të jenë mbi apo nën normalen. Ato mund të mbeten të pabarabarta në kohë dhe territor.

Kjo pasiguri ka koston e vet. Kompanitë energjetike duhet të sigurojnë importe përpara se të dinë me saktësi si do të ndryshojnë prurjet. Fermerët duhet të investojnë në ujitje, edhe pse prodhimi mund të goditet më pas nga breshëri. Bashkitë duhet të përgatiten njëkohësisht për mungesë uji, zjarre dhe përmbytje të shpejta.

El Niño mund të kalojë. Ekspozimi ekonomik i vendit ndaj nxehtësisë dhe motit ekstrem do të mbetet. Në fund, fatura nuk matet vetëm me gradë Celsius. Ajo shfaqet në milionë euro importe energjie, në prodhimin e humbur në ara dhe në perimet që kushtojnë më shumë në treg.

Çfarë është El Niño

El Niño është një fenomen natyror që ndodh kur ujërat e Paqësorit tropikal ngrohen më shumë se zakonisht. Kjo ngrohje ndryshon erërat dhe reshjet, duke ndikuar motin në shumë pjesë të botës.

Në disa vende mund të sjellë thatësirë dhe temperatura më të larta, ndërsa në të tjera reshje të forta dhe përmbytje. Në Shqipëri, ndikimi i tij është zakonisht indirekt dhe ndërthuret me kushtet atmosferike të Mesdheut dhe Europës. Monitor

Engjëll Balilaj pa asnjë licencë merr tenderin 1.1 MLD lekë të Ujësjellësit të Fierit/ Pse u anualua projekti për 1 vit ...
01/08/2026

Engjëll Balilaj pa asnjë licencë merr tenderin 1.1 MLD lekë të Ujësjellësit të Fierit/ Pse u anualua projekti për 1 vit nga Gentian Alika? Prapaskenat e ndërrimit të 3 drejtorëve

Lufta mes politikanëve për ndarjen e parave të Ujësjellësit Fier zvarrit projektin e furnizimit me ujë të disa lagjeve të qytetit. Në lojë janë 1.1 miliardë lekë. Fillimisht tenderin do ta firmoste njeriu i Ceno Klosit, por më pas klani i Armando Subash*t dhe Rajmonda Balilajt, vendosi drejtor një aktivist tjetër të “Rilindjes”.

Kujtojmë se zëvendëskryeministrja Balluku është shefe e shtabit politik të Qarkut Fier. Menjëherë pas zgjedhjeve, Balluku largoi nga posti i drejtorit të Ujësjellësit Mario Bakallin, i cili firmosi tenderat e rekomanduar nga lart.

Para se të largohej kishte bërë gati dokumentet e super tenderit 1.1 miliard lekë për shtrirjen e ujësjellësit në një nga zonat e qytetit Fier. Bakallli nuk e “gëzoi” këtë tender, por dosja i kaloi menjëherë drejtorit të ri Klodjan Mema, që u emërua më 16 korrik 2025. Ky i fundit ishte vendosur në këtë post me ndikimin direkt të deputetit të PS-së, Ceno Klosi.

Tenderi për të cilin po raportojmë është me objekt “Ndërtim rrjet ujësjellësi për zonën DMA 10, Bashkia Fier”. Fillimisht Fondi Limit ishte caktuar 110.8 milionë lekë (të reja) pa TVSH. Pas këtyre përgatitjeve tenderi është shpallur më 19 gusht 2025.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, tenderi duhej të mbahej më 9 shtator 2025. Pra, banorët e disa lagjeve të Fierit, nga hyrja jugore të qytetit deri në fshatin Mbyet, duhet të gëzoheshin se do të shtrohej një tubacion i ri i ujësjellësit. Por dikush po tallej!

Një ditë para mbajtjes së tenderit, më 8 shtator 2025, drejtori i ri Klodjan Mema ka nxjerrë urdhër për anulimin e procedurës.

Drejtor Mema kishte konstatuar se “dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme”. Pra, tenderi 1.1 miliard lekë ishte bërë me gabime!

Dhe për “gabimet” e drejtorit të Ceno Klosit, sa të mbaronin pazaret, banorët duhet të prisnin pa afat që të nisë ndërtimi i ujësjellësit të ri.

Ndërkaq, vazhdonin njoftime nga Ujësjellësi të tipit “do të ketë reduktim në furnizimin me ujë të pijshëm në qytetin e Fierit”, “Nderprerje të përkohshme” apo “Defekt elektrik”.

Ndërkaq, Klodjan Memës i kishte shkuar emri deri në Kuvend, i akuzuar për thurje intrigash nga një zyrtare Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim Taksave.

Nuk e dimë gjithë prapaskenën politike, por nuk zgjati shumë dhe Memën e shkarkuan nga detyra. Dy muaj më pas, me ndikimin e kryebashkiakut Armando Subashi dhe ish-prefektes Rajmonda Balilaj, postin do ta merrte Gentian Alika.

Plot 9 muaj u mor drejtori i ri me këtë tender. Nëse gabimi ishte tek shifra e fondit limit, kjo gjë mund të rregullohej brenda një jave. Megjithëse zona ku kërkohet të shtrihet ujësjellësi i ri vazhdon vuan për ujë, drejtor Alika duhet të merrte sinjal nga lart, për ta organizuar tenderin.

Nga një krahasim që i bëmë tenderit të anuluar me atë të shpallur së fundmi në 25 maj 2026, vlera e fondit limit ndryshon me vetëm 12 milionë lekë më pak.

Tenderi i drejtor Alikës ka marrë menjëherë vlerësim negativ nga Open Data Albania. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përvec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu është klasifikuar procedura. Dhe për këto shkelje tenderi është shenuar me “Flamur të kuq”, për të treguar riskun e korrupsionit.

Në tenderin e mbajtur më 26 qershor 2026 kanë marrë pjesë 4 operatorë ekonomikë, ku 3 janë përjashtuar qysh në fillim.

Kështu, operatorit ekonomik “BALILI KONSTRUKSION”, me ofertë 999 milionë lekë i është hapur rruga të shpallet fitues më 17 korrik 2026.

Theksojmë këtu, se ofertat që nuk u morën në konsideratë mund t’i kursenin buxhetit të shtetit rreth 300 milionë lekë.

Kështu kompania “NDREGJONI” SHPK kishte propozuar ta bënte këtë punë 737 milionë lekë pa TVSH.

Operatori Ekonomik “2 N” SHPK ka ofruar për këtë tender vlerën ekonomike në total 799 milionë lekë pa TVSH.

Edhe sikur t’i marrim të mirëqena vlerësimet e komisionit të Gentian Alikës, ne kemi dyshime se kompania fituese nuk i përmbudh kriteret. Për pasojë, ky tender do të duhej të anulohej sërish.

Sipas dokumenteve të tenderit, operatori ekonomik duhet të paraqesë licencën profesionale të shoqërisë, të vlefshme për zbatimin e punimeve objekt kontrate, të lëshuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila përfshin disa kategori punimesh, sidomos për ujësjellësin.

Gjithashtu, është e nevojshme të merret në QKL licenca me kodin III2B “Për grumbullim dhe transport të mbetjeve inerte”.

Por nga verfikimi që bëmë në QKB ditën e sotme (21 korrik 2026) rezulton se firma nuk ka regjistruar asnjë licencë apo autorizim.

Kjo flet për një neglizhencë të madhe, prandaj dyshojmë se kompania është kualifikuar pa përmbushur kriteret e vecanta.

Këtu duhet të përmendim edhe certifikatat ISO që, sipas dokumenteve të tenderit, janë të nevojshme për të garantuar cilësinë e punimeve të ujësjellësit.

Firma “Balili Konstruksion” shpk, me bazë në Vlorë, ka pronar Engjëll Balilajn, i raportuar vazhdimisht për favorizimet që i bëjnë zyrtarët në prokurime me vlerë të madhe. Tenderat më të korruptuar të Balilajt janë firmosur nga kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako dhe ish-drejtori i Ujësjellësit të Durrësit, Spartak Kovaçi.

Përmendim këtu prokurimin “Rehabilitimi i zonës që preket nga zgjerimi territorial i varrezave të qytetit të Durrësit” në prill 2023, me fondin limit 240,000,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 3 miliardë lekë të vjetra duke përfshirë TVSH.

Ndërsa në 18 shtator 2024, nga e njëjta zyrtare i janë dhënë Balilajt 580 milionë lekë, përmes prokurimit me objekt ‘Sistemi i trajtimit të ujërave të zeza në Lagjen e re Spitallë’. Tenderi u shënua me flamur korrupsioni.

Dhe sa më i madh abuzimi me fondet, aq më i madh dëmi ndaj interesit publik. Puna me cilësi të dobët në kanalizime, ka sjellë si pasojë përmbytje të përvitshme në Durrës.

Engjëll Balilaj, është favorizuar edhe më herët në tendera të ndryshëm të bashkisë Durrës dhe nga shoqëria e Ujësjellësit Durrës. Kështu më 2017, Balilaj mori nga Spartak Kovaçi, ish-drejtori i Ujësjellësit Durrës, një tender me dy flamuj të kuq (mungesë konkurrence dhe anulim më shumë se dy herë i tenderit). Bëhej fjalë për “përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm të Shkozetit”, zonë që edhe sot vazhdon të vuajë nga kjo mungesë.

Le të shërbejë raportimi ynë për të ngritur vëmendjen e qytetarëve fierakë, që të mos lejojnë vjedhjen e parave të projektit të ujësjellësit.

Pazari 2 MLD lekë i Johan Sterjos me Yzedin Bozhajn/ Dyshimet për drejtorin, si ia dha “oktapodit të tenderave” ujësjell...
01/08/2026

Pazari 2 MLD lekë i Johan Sterjos me Yzedin Bozhajn/ Dyshimet për drejtorin, si ia dha “oktapodit të tenderave” ujësjellësin e Rrajcës

Johan Sterjo, drejtor i Ujësjellësit Rajonal të Pogradecit, është prekur nga këmbët e gjata të “oktapodit të tenderave”, Yzedin Bozhaj.

Me një procedurë fiktive, i është dhënë kontrata 2 miliardë lekëshe, kompanisë “Shëndelli” shpk. Biznesmeni Yzedin Bozhaj, jo vetëm që i përfiton kontratat padrejtësisht, por bën mashtrime edhe gjatë zbatimit të tyre. Madje ka dyshime se është futur në transaksione të pastrimit të parave.

Këtë radhë bëhet fjalë për tenderin e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Pogradec me objekt “Ndërtimi i Ujësjellësit në fshatrat Urakë-Kotodesh-Katjel, Njësia Administrative Rrajcë”, Bashkia Prrenjas.

Fondi Limit i përllogaritur për realizimin e projektit është 202.4 milionë lekë të reja pa përfshirë TVSH.

Open Data Albania ka valëvitur menjëherë “Flamurin e kuq” për këtë procedurë, duke e shoqëruar me përshkrimin “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përvec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”. Shpjegojmë se flamuri përdoret për të sinjalizuar riskun e korrupsionit.

Në tenderin e mbajtur më 15 qershor 2026 morën pjesë 7 operatorë dhe bashkime firmash, por ka dyshime se fituesi ishte i paracaktuar. Komisioni i tenderit nuk është munduar për ta fshehur këtë prapavijë, por qysh në fillim ka vepruar me skualifikime gjoja për mosplotësim kushtesh dhe kriteresh.

Komisioni e hodhi në kosh ofertën e bashkimit të operatorëve të udhëhequr nga “Avduli” shpk me ofertë 185 milionë lekë pa tvsh.

Po ashtu, në këtë nivel është edhe oferta e bashkimit “Mela” shpk & Curri shpk me vlerë 178.3 milionë leke pa tvsh.

Përkundrazi, më 13 korrik 2026, Johan Sterjo ka shpallur fituese kompaninë “Shendelli” shpk me ofertë 195.3 milionë lekë pa tvsh.

Pasi verifikuam dokumentet e tenderit, zbuluam se kompania “Shendelli” shpk nuk e plotëson kriterin e kapacitetit teknik për të realizuar kontratën.

Sipas dokumenteve standard dhe kontratës, del se “Shendelli” duhet të angazhojë 60 punonjës për 1 vit, në punimet ndërtimit të ujësjellësit. Po ashtu, Drejtuesi Teknik i punimeve në objekt duhet të jetë i përfshirë në liçencën e shoqërisë dhe të mos jetë i angazhuar në kontrata të tjera.

Operatori ekonomik duhet të ketë në dispozicion apo mund t’i vihen në dispozicion mjetet e pajisjet teknike të nevojshme për ekzekutimin e kontratës, si kamion vetëshkarkues 10, 15 dhe 20 tonësh, rula, saldatrice, fadroma, eskavatorë, grejder, asfaltoshtruese, autobetoniere, fabrikë betoni, sonda, p***a, gjeneratorë dhe shumë mjete të tjera.

“Shendelli” zakonisht ka një numër mesatar 50 deri në 60 punonjës, por ndërkohë i ka të angazhuar në kontrata të tjera. Meqenëse, komisioni ka bërë një tender formal pa verifikimet përkatëse, po ofrojmë një informacion që është publik.

“Shendelli” ndërkohë është i angazhuar në kontratën me bashkinë Kamëz, me objekt “Ndërtim dhe Rikonstruksion Rrugët Blloku Babrru”, me fond limit 2.2 miliardë lekë pa TVSH. Shpallja e fituesit është bërë më 24 qershor 2026, ndërsa kohëzgjatja e e kontratës është 6 muaj.

Këtu, “Shendelli” ka premtuar me shkrim të angazhojë 54 punonjës dhe një numër akoma më të madh mjetesh, në kuadër të kontratës.

Ndërkaq, më 12 maj 2026, “Shendelli” është shpallur fitues nga Bashkia Fier për tenderin “Rikonstruksion i objektit 3K(Çerdhe+kopsht), Lagjja “29 Nëntori”, Fier”, me fond limit 445 milionë lekë. Në këtë kontratë që zgjat 9 muaj, kompani duhet të ketë 29 punonjës të tjerë.

Sikur të mos mjaftonin tërë këta “kunguj” për sqetullat e “Shendellit”, Bashkia Kamëz më 17 korrik 2026, i ka dhënë tenderin me objekt “Ndërtim Fusha Sportive + Parking dhe Rrugë, Valias”, me fond limit 638 milionë lekë pa TVSH.

Për këtë punë kërkohet për 3 muaj angazhimi i 33 punonjësve. Duke qenë se “Shendelli” ka 90% pjesëmarrje në kontratë, atëherë duhet një staf me 30 veta sipas specialiteteve të kërkuara.

Është e qartë se “Shendelli” duhej skualifikuar, por drejtorit Johan Sterjo i ka shijuar biznesi.

Yzedin Bozhaj e mori nën kontroll kompaninë e familjes më 2005 dhe qysh nga ajo kohë fitimet kanë kapur majat.

Për shkak të favorizimeve, Bozhaj, jo vetëm i zvarrit punimet, por edhe përvetëson para edhe me situacione false. Këtë e ka konstatuar KLSH në auditimet e kryera në disa bashki.

Në dy procedura tenderuese të Bashkisë Sarandë, të audituara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, me fitues kompaninë “Shendelli” të Yzedin Bozhajt, është konstatuar në të dy rastet vjedhja e parave publike gjatë zbatimit të kontratave, duke bërë situacione false për punime që nuk ekzistojnë.

Në mars 2023, Bashkia e Sarandës shpalli fituese kompaninë “Shendelli” të tenderit me objekt ‘Rikualifikim dhe riveshje e rrugëve “Onhezmi” dhe rrugës “Adem Sheme”‘, me vlerë 320 mijë euro. Ish- kryebashkiaku Adrian Gurma ka skualifikuar të gjithë konkurrentët e tjerë për të shpallur fitues Yzedin Bozhajn.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se biznesmeni Bozhaj ka abuzuar me zbatimin e kontratës me Bashkinë e Sarandës, duke certifikuar punime që nuk ekzsitojnë, me situacione false, një praktikë e shpeshtë vjedhjeje.

Në qershor të vitit 2021, Bashkia Sarandë ka shpallur fituese kompanitë ED KONSTRUKSION dhe SHENDELLI me objekt “Furnizim me ujë i zonës Baba Rexhepi dhe Lugu i Dardhës faza II (loti përfundimtar)”, me vlerë 3.1 milionë euro. Edhe ky tender është shënjuar me “Flamur të kuq” pasi nuk ka pasur asnjë konkurrent tjetër përveç fituesit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar që dy kompanitë me pronarë respektivë Alfred Ibrahimin si dhe Yzedin Bozhajn, kanë vjedhur një pjesë të parave publike, përmes certifikimit me situacione false të punimeve që nuk janë kryer.

Ndërkohë Bozhaj është përfitues i disa koncesioneve për ndërtim hidrocentralesh në Tropojë dhe Kukës. Ka dyshime se këto i ka përdorur për pastrim parash.

Konkretisht “BRADOSHNICE HEC 20” i regjistruar në Kukës, nuk ka akoma një bilanc, pas 6 vjetëve nga krijimi. Koncesioni në bashkëpunim me Aurel Byberin, në fillim kaloi në status “I pezulluar”, më pas u kthye në aktiv. Byberi ka biznese në bashkëpunim me Elton Beqirajn nga Durrësi, i dënuar me 3 vjet burg, në dhjetor 2025, për skemë mashtrimi dhe vjedhje nëpërmjet faturave tatimore false të TVSH-së.

Po ashtu, shoqëria “Curraj Energy21” shpk qysh nga viti 2021 nuk ka regjistruar asnjë bilanc financiar, megjithëse me status “Aktiv”.

E njëjta situatë paraqitet edhe në kompaninë “ABEL ENERGY ALBANIA” shpk. Në këtë subjekt, dyshimi për aktivitetin të lind kur shikon se në Këshillin Mbikëqyrës është vendosur Jehon Breçani. Babai dhe vëllai i Jehonit janë subjekte të SPAK për trafik droge dhe pastrim parash të krimit.

Erzen Brecanit i është sekuestruar një hidrocentral me emrin “Drita”, ku u vërtetua se investonte paratë e drogës të të birit. Vendosja e djalit të Brecanit në Bordin e HEC-it të Bozhajt dhe Byberit nuk besojmë se është thjesht për t’i dhënë një pagë.

Ndërsa në rastin e tenderit të Ujësjellësit për Rrajcën, Yzedin Bozhaj është puqur me një ekspert pushteti, Johan Sterjon.

Drejtori i Ujësjellësit të Pogradecit në janar 2023, mbante dy poste, duke qenë njëkohësisht edhe nënkryetar i Bashkisë Pogradec. Sterjo u detyrua të japë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit për shkak se është vëllai i Viola Sterjos, e arrestuar nën akuzën e mashtrimit dhe përvetësimit të parave.

Kanë qenë disa qytetarë nga Korça dhe Pogradeci që denoncuan Viola Sterjon të cilëve u kishte marrë shuma të mëdha parash. Ajo ju premtonte se do të ndikonte tek politikanë në Tiranë dhe në Bashkinë e Pogradecit, që ata të përfitonin financime nga AZHBR. Sterjo në atë kohë ishte drejtoreshë e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës dhe më pas në administratën e AKSHI-t.

Dyshohet se Sterjo u ka marrë qytetarëve të ndryshëm shuma që variojnë deri në qindra mijëra euro, duke premtuar leje për resorte dhe hotele me vlerë investimi nga 2.2 milionë euro deri në 4.5 milionë euro. Gjykata e Korçës e la fillimisht nën masën arrest me burg për mashtrim, por më pas e liroi në arrest shtëpie.

Kjo histori familjare forcon indicien se tenderi ka përfunduar në pazar. Nga ana tjetër, dhënia e kontratës Yzedin Bozhajt e bën të paparashikueshëm fatin e projektit të ndërtimit të ujësjellësit në Rrajcë.

Kujtojmë se në këtë zonë ka shembuj të investimit në ndërtimin e ujësjellësit të ri që nuk ka funksionuar më pas.

Banorët e fshatit Rrajcë Sutaj kanë protestuar vazhdimisht për mungesën e ujit të pijshëm. Investimi për rrjetin e ri të ujësjellësit me vlerë rreth 6 milionë euro duhet duhet t’i furnizonte me 24 orë ujë, por në rubinet nuk mbërrin ujë fare ose u shkon me orar të reduktuar.

©️Copyright Gijotina.com

Të sëmurët me BWD, në dorë të Vilma Nush*t/ Skema që përdori oligarkja për të hedhur në dorë 3.5 miliardë lekët e ilaçit...
01/08/2026

Të sëmurët me BWD, në dorë të Vilma Nush*t/ Skema që përdori oligarkja për të hedhur në dorë 3.5 miliardë lekët e ilaçit të shtrenjtë

Qysh kur Vilma Nushi hyri në lojën për tenderin e ilaçit për të sëmurët që vuajnë nga Von Willebrandt (VWD) vlera e fondit u rrit menjëherë me afro 830 milionë lekë. Ndërsa konkurrentët nuk afrohen, e kanë lënë Nushin të marrë pjesë e vetme.

Skandali mori dritëhijet tani që tenderin e kishte në dorë ministri Blendi Gonxhe. Kujtojmë se Gonxhe i hodhi në dorë tenderat e Shëndetësisë menjëherë pasi kaloi në varësinë e tij Operatorin e Blerjeve të Përqendruara. Madje ditët e fundit, ne krye te Operatorit eshte vendosur Jonaid Myzyri, zyrtari qe u shkakrkua nga SPAK, ndersa drejtonte Komisionin e Prokurimit Publik.

Nushi ka krijuar një bashkim me 4 operatorë ekonomikë që janë nën ombrellën e saj. Këta janë nipi i saj Endrit Hido, Ilir Shehu, Rasim Hamzaraj dhe Luan Lekli. Të katërt do të ndajnë mbi 345 milionë lekë të reja, ku përfshihet edhe TVSH.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Lot 73 Human Coagulation Factor VIII ose Human Coagulation Factor VIII + Human Von Willenbrand Factor 250 I.U-1000 IU UI”.

Ky është një medikament që trajton të sëmurët VWD. Sëmundja e rrallë e quajtur Von Willebrandt (VWD) është një çrregullim prej të cilit gjaku nuk mpikset siç duhet. Gjaku përmban shumë proteina që ndihmojnë në mpiksjen e tij kur është e nevojshme. Një nga këto proteina quhet faktori i Von Willebrandit.

Ky faktor është shfrytëzuar nga grupi i Nush*t për të shtuar fitimet. Nga buxheti i shtetit janë ndarë plot 287.7 milionë lekë të reja, ose 345.2 milionë lekë duke përfshirë TVSH.

Në tenderin e mbajtur më 29 qershor 2026, pjesëmarrësi i vetëm është grupi i Nush*t, bashkimi i operatorëve ekonomikë: “M E D I C A M E N T A” SHPK, “MEGAPHARMA” SHPK, “LEKLI” SHPK dhe “T R I M E D” SHPK.

Tenderi ka merituar valëvitjen e një “Flamur të kuq”, që është sinjali i riskut të korrupsionit.

Me një ofertë gati sa fondi limit është shpallur fitues zyrtar më 27 korrik 2026. Ata janë futur në këtë kontratë në mënyrë të barabartë dhe fitojnë secili nga 25% të vlerës së blerjes së ilaçit të sëmundjes së rrallë.

Kur tenderi zhvillohej nga Ministria e Shëndetësisë, në vitin 2022, për të njëjtë sasi ilaçesh tenderi “Human Coagulation Factor VIII ose Human Coagulation Factor VIII + Human Von Willenbrand Factor” e kishte fondin limit 204,6 milionë lekë të reja. Më 19 maj 2022 fituese u shpall “MEGAPHARMA” shpk.

Në vitin 2024, kur hyn në lojë Vilma Nushi dhe grupi i kompanive të mësipërme, fondi total u bë 2 657 236 euro. Tenderi i Ministrisë së Shëndetësisë me objekt “Lot 44 Human Coagulation Factor VIII ose Human Coagulation Factor VIII + Human Von Willenbrand Factor”, më 8 gusht 2024, iu dha 4 kompanive që e fituan edhe në 2026.

Procedura u zhvillua në mungesë konkurrence dhe u vlerësua me flamur korrupsioni.

Binte në sy ndryshimi i menjëhershëm i vlerës totale për të njëjtën sasi ilaçesh. Fondi limit ishte caktuar ishte 266.6 milionë lekë të reja pa përfshirë TVSH.

Kjo rritje e fondit vazhdoi sërish në vitin 2026, sepse në mes ishte faktori korrupsion. Por kush janë përfituesit e blerjes së ilaçit për sëmundjen e rrallë?

Këto veprime bëhen nën hijen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Operatorit të Blerve të Përqendruara, në bashkëpunim me autoritetet e spitaleve. Dhe është shumë e lehtë, kur je nipi i oligarkes Vilma Nushi, pronares së koncesionit Check UP të Shëndetësisë.

“Trimed” SHPK, në letra është pronë e Endrit Hidos, nipit të Vilma Nush*t dhe e Gentiana Peshkatarit, ish-punonjëse e Nush*t.

Fillimisht oligarkja ia ka sh*tur aksionet e saj shtetasit anglez Dominic Noel William Evans. Anglezi është bashkëshorti i mbesës së Nush*t, Ledina Hidos.

Ndërsa si administrator e “ Trimed” është Gentiana Peshkatari, e cila e kryen këtë funksion që në vitin 2016.

Kompania e barnave “Riofarma” SHPK është një tjetër filial i krijuar nga Vilma Nushi, për t’a përdorur si kanal për tërheqjen e parave publike. Këtë kompani, Vilma Nushi e kishte kaluar në emrin e burrit të motrës, Edmond Hido.

Në vitin 2020, Vilma Nushi i shet vetes kompaninë “Riofarma”. Në fakt “Trimed”, të cilën e kontrollon nipi, Endrit Hido, e ka përthithur subjektin e mësipërm.

Kompania “Riofarma”, e përdorur në afera korrupsioni, u shkri me kompaninë “Trimed” në qershor të vitit 2024. Kjo është një tentativë për të zhdukur gjurmët e “Riofarmës”.

Vilma Nushi ka marrë pjesë edhe në zhdukjen e kompanisë së korrupsionit “Hermes” të Arben Ahmetajt, me të cilën u vodhën nga “Albtelekom” miliona euro me impulset telefonike deri në vitin 2004. Në vitin 2016, “Albtelekom” ishte në gjyq me kompaninë “Hermes”, të cilës i kërkonte t’i kthente 12 milionë euro.

Afera u mbyll me marrëveshje në vitin 2016, nga Arben Ahmetaj, kur ishte ministër i Financave. Albtelekom hoqi dorë nga pretendimet ndaj “Hermes”. Kujtojmë që Ministria e Financave ishte aksionere te Albtelekom. “Hermes” u përthith nga kompania “H-Communication” me aksionere Vilma Nushin. Në këmbim, Ahmetaj, dhëndrin e Vilma Nush*t, Endrit Duçka, e kishte emëruar drejtor të Pronës Publike, duke kaluar disa pasuri publike në pronësi të shokëve të Ahmetajt.

Ndërkaq, në vitin 2011 kompania “H-Communication” u përthith nga kompania “One Albania”.

Vilma Nushi përdor emrin e motrës së saj, Majlinda Hido, për kompaninë e tregtimit të mallrave të ndryshme “Interlogistic” shpk, e cila ka fituar 85 tendera publikë me vlerë miliona euro.

Majlinda Hido, motra e oligarkes Vilma Nushi, fiton çdo tender ku merr pjesë, falë lidhjeve të forta me qeverinë të krijuara nga Vilma Nushi.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konfirmuar përmes disa raporteve se koncesionari i Check up-it ka përvetësua rreth 4 milionë euro para publike për shërbime të pakryera. Dëmi ekonomik u deklarua për herë të fundit në korrik të vitit 2024, në mbledhjen e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, nga audituesja e KLSH, Selime Bregu. Zyrtarja deklaroi se këto shifra rezultojnë të kenë rritur fitimin e kompanisë koncesionare deri në 32%.

KLSH ka zbuluar se vetëm gjatë një viti, Vilma Nushi ka përfituar në mënyrë të padrejtë edhe 2.3 milionë dollarë TVSH të rimbursueshme. Edhe kjo vjedhje është zbuluar dhe faktuar nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa mësohet se pagesa është bërë nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Sipas KLSH-së, kthimi i parave te kompania e Vilma Nush*t është bërë në mënyrë të padrejtë.

Ndërkaq, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar një kontroll në FSDKSH për vitin 2022. Nga auditimi i veprimtarisë është konstatuar se FSDKSH nën drejtimin e Albana Adhamit dhe Ogerta Manastirliut kanë paguar Vilma Nushin për 20172 analiza të pakryera. Raportet e KLSH-së tregojnë se skema e vjedhjes së parave publike nga Vilma Nushi ka vijuar nga viti 2015 deri në vitin 2022.

Koncensioni po hetohet nga SPAK prej më shumë se sa 6 vitesh, kur është hapur procedimi nr. 122 i vitit 2020.

Firma tjetër, e grupuar pranë Nush*t në tenderin Lot 73 është “M E D I C A M E N T A”, pronë e Ilir Shehut.

I skeduar për pastrim parash, ilaçe të skaduara, manipulim të tregut të ilaçeve, mashtim për rimbursimin e TVSH-së për medikamentet në vlerën 2 milionë euro, vepër për të cilën edhe është dënuar. Sipas Nadir Çaushollit, rivali i tij në biznes, Ilir Shehu është dënuar për trafik droge në Itali me emrin Ilir Pasholli.

Në vitin 2013, kur nuk pyesnin se ku i gjete paratë, Ilir Shehu bleu 40 % të aksioneve i kompanisë së barnave Medicamenta. Pjesa tjetër e aksioneve (60%) figuronte formalisht në emrin 67-vjeçarit italian Riccardo Celesia. Italiani i mbante aksionet përmes kompanisë Farmacia Celesia srl. Shehu i bleu 40 % të aksioneve për 400 mijë euro.

Gjatë 5 viteve të fundit, kompania Medicamenta, e vetme dhe në bashkëpunim, ka marrë rreth 40 milionë euro tendera në Shëndetësi, për furnizim me ilaçe, në disa raste në marrëveshje dajën e Petrit Vasilit, Rasim Hamzarajn, apo me Luan Leklin, ‘merimangën’ e ilaçeve të skaduara.

Pak vite më parë Ilir Shehut i doli emri si i përfshirë në një skemë mashtrimi me barna, ku ishte implikuar dhe një farmacist i QSUT.

Aktualisht Shehu e ka larguar italianin që e mbante formalisht aksioner dhe i ka kaluar të gjitha kuotat në emër të tij.

Personazhi tjetër i grupuar nga Vilma Nushi është Luan Lekli, pronar i “LEKLI” shpk. Kompania ka marrë afro 200 tendera të dyshimtë me favorizime, ku shpesh është denoncuar për skandale të barnave të skaduara.

Emri i tij dhe kompanitë e tij janë përmendur gjatë raporteve, dëgjesave parlamentare dhe auditimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) lidhur me menaxhimin, furnizimin dhe tregun e barnave në Shërbimin Onkologjik të QSUT-së.

Një tjetër pjesëtar i grupit është Rasim Hamzaraj, i njohur si daja i ish-ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasilit. Ai është bashkëpronar dhe administrator i kompanisë farmaceutike Megapharma, me nipt J61814028F.

Deri në vitin 2018, Hamzaraj kontrollonte vetë kompaninë. Nga viti 2018 deri në janar 2024, e kontrolloi kompaninë përmes bashkëshortes Monika Hamzaraj.

Ai ia sh*ti aksionet bashkëshortes për 60 mijë lekë. Ndërkaq, zonja Hamzaraj i sh*ti më pas këto aksione për 2.3 milionë euro.

Ka dyshime të forta se sh*tja e aksioneve si në vitin 2018, ashtu edhe në vitin 2024, janë fiktive.

Gjatë qeverisjes së Edi Ramës, Megapharma ka marrë tendera në shëndetësi me vlerë mbi 45 milionë euro.

Duke i grupuar bashkë këto 4 kompani Vilma Nushi ka krijuar një kartel që fiton tendera. Ajo është koncesionarja kryesore e Shëndetësisë, por vë rregullin e saj edhe nëpër tendera.

©️Copyright Gijotina.com

Address

Pristina
10000

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when KosovaExpress posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share