25/08/2026
IDETE QE NDRYSHUAN BOTEN: ROBERT KOHU, NJERIU QË ZBULOI BACILIN E TUBERKULOZIT, PLASJES DHE KOLERES
Robert Kohu (Robert Koch, 1843–1910) ishte mjek dhe mikrobiolog gjerman, një nga themeluesit e bakteriologjisë moderne dhe fitues i Çmimit Nobel në vitin 1905 për kërkimet mbi tuberkulozin. Ai zhvilloi metoda të reja për izolimin dhe kultivimin e baktereve, si dhe për vërtetimin e rolit të tyre në shkaktimin e sëmundjeve. Falë këtyre metodave, shpjegoi ciklin jetësor të bakterit të antraksit dhe identifikoi mikroorganizmat që shkaktojnë tuberkulozin dhe kolerën.
Robert Kohu lindi më 11 dhjetor 1843 në Klaustal, një qytet minerar në Mbretërinë e Hanoverit, sot pjesë e Gjermanisë. Sipas rrëfimeve biografike, ai mësoi të lexonte vetë që në moshën pesëvjeçare. Arsimin fillor dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ku shfaqi interes të veçantë për biologjinë.
Në vitin 1862 u regjistrua për mjekësi në Universitetin e Gëtingenit, të cilin e përfundoi më 1866. Si mjek i ri punoi në disa qytete të vogla dhe më pas shërbeu si kirurg ushtarak gjatë Luftës Franko-Prusiane të viteve 1870–1871. Pas luftës u emërua mjek i rrethit në Volshtajn, sot Volshtin në Poloni, ku ngriti në shtëpi një laborator të vogël dhe iu përkushtua studimit të mikroorganizmave patogjenë.
Pikërisht në këtë laborator modest Kohu filloi të studionte antraksin ose plasjen, një sëmundje infektive e shkaktuar nga bakteri Bacillus anthracis, e cila prek kryesisht kafshët barngrënëse, por mund të kalojë edhe te njerëzit që kanë kontakt me kafshët e infektuara ose me produktet e tyre. Pasi e izoloi bakterin, Kohu e inokuloi te kafshët e shëndetshme dhe riprodhoi tek ato të njëjtën sëmundje, duke treguar se një bakter i veçantë shkaktonte një sëmundje të caktuar.
Plasja dhe bakteri që lidhej me të ishin njohur edhe nga studiues të mëparshëm. Merita e Kohut ishte se studioi me hollësi ciklin jetësor të bakterit dhe shpjegoi rolin e sporeve në mbijetesën dhe përhapjen e tij. Kjo krijoi mundësi për marrjen e masave më të efektshme parandaluese. Rezultatet i botoi në vitin 1876, në revistën Kontribute në biologjinë e bimëve, me titull Etiologjia e sëmundjes së antraksit, e mbështetur në historinë e zhvillimit të Bacillus anthracis. Studimi bëri jehonë në qarqet shkencore dhe i hapi rrugën drejt një karriere të suksesshme.
Në vitin 1880, Kohu u emërua në Zyrën Perandorake të Shëndetësisë në Berlin, ku gjeti kushte më të mira për punë eksperimentale dhe bashkëpunëtorë të aftë. Atje zhvilloi metoda për ngjyrosjen dhe fotografimin e baktereve, kultivimin në mjedise të ngurta dhe krijimin e kulturave të pastra, të përbëra nga një lloj i vetëm mikroorganizmi. Këto metoda u mundësuan studiuesve të identifikonin me saktësi shkaktarët e sëmundjeve infektive.
Arritja më e madhe e Kohut ishte identifikimi i bakterit shkaktar të tuberkulozit. Më 24 mars 1882, ai e njoftoi zbulimin në Shoqërinë Fiziologjike të Berlinit. Ishte një ngjarje madhore për mjekësinë, sepse tuberkulozi ishte një nga sëmundjet më të përhapura dhe më vdekjeprurëse të kohës.
Falë një teknike të posaçme ngjyrosjeje, Kohu dalloi në indet e të sëmurëve bakterin e njohur sot si Mycobacterium tuberculosis. Më pas e kultivoi në kulturë të pastër dhe kreu provën vendimtare: inokulimi i tij te kafshët e shëndetshme shkaktoi tuberkulozin. Për nder të zbuluesit, ky mikroorganizëm u quajt më vonë edhe bacili i Kohut.
Zbulimi ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si kuptohej dhe luftohej tuberkulozi. Ai provoi se sëmundja nuk trashëgohej si e tillë, por shkaktohej nga infektimi me një bakter të veçantë. Kjo krijoi mundësi për diagnostikimin dhe parandalimin, ndërsa më vonë ndihmoi në zhvillimin e vaksinave dhe të mjekimeve. Tuberkulozi nuk mund të zhdukej menjëherë, por lufta kundër tij tashmë ishte vendosur mbi baza shkencore.
Kur Kohu nisi kërkimet mbi kolerën në vitin 1883, kishte filluar pandemia e pestë dhe shkaku i sëmundjes vazhdonte të ishte objekt debatesh. Fillimisht në Egjipt dhe më pas në Indi, ai arriti ta izolonte bakterin në kulturë të pastër dhe, për shkak të trajtës së lakuar, e quajti “bacili në formë presjeje” ose “bacili presje”.
Në vitin 1896, Richard Pfeiffer përdori për të emrin Vibrio cholerae. Megjithatë, që në vitin 1854, anatomisti italian Filipo Paçini e kishte vëzhguar të njëjtin mikroorganizëm në zorrët e viktimave të kolerës dhe e kishte quajtur “vibrioni i kolerës”, por zbulimi i tij nuk kishte marrë vëmendjen e merituar.
Nga kërkimet e Kohut dhe të bashkëpunëtorëve të tij u formuluan gradualisht parimet e njohura si postulatet e Kohut. Sipas tyre, që një mikroorganizëm të konsiderohej shkaktar i një sëmundjeje, duhej të gjendej te organizmat e sëmurë, të izolohej e të kultivohej, të shkaktonte të njëjtën sëmundje pasi të inokulohej te një organizëm i shëndetshëm dhe, në fund, të rizolohej prej tij.
Me gjithë kufizimet e njohura më vonë, kjo procedurë i dha mikrobiologjisë një metodë të qëndrueshme për përcaktimin e lidhjes ndërmjet një mikroorganizmi dhe një sëmundjeje.
Pas këtyre zbulimeve, Kohu u bë një autoritet botëror në fushën e sëmundjeve infektive. Në vitin 1885 u emërua profesor i higjienës në Universitetin e Berlinit dhe drejtor i Institutit të Higjienës. Në vitin 1891 mori drejtimin e Institutit të sapokrijuar për Sëmundjet Infektive, pararendës i Institutit të sotëm Robert Koch. Në laboratorët e tij u formuan breza bakteriologësh dhe u zhvilluan kërkime mbi difterinë, tifon, tetanozin dhe sëmundje të tjera.
Në vitin 1890 Kohu u përpoq të gjente një mjekim kundër tuberkulozit. Ai përgatiti tuberkulinën, një ekstrakt të përftuar nga kulturat e bacilit. Preparati u paraqit si mjet terapeutik, por rezultatet ishin zhgënjyese dhe shkaktuan polemika. Megjithatë, tuberkulina gjeti më vonë përdorim të rëndësishëm në diagnostikimin e infeksionit tuberkular.
Në vitet 1896–1907, Kohu ndërmori ekspedita në Afrikë, Indi dhe Azinë Juglindore, ku studioi murtajën e gjedhit, murtajën bubonike, malarien, sëmundjen e gjumit dhe sëmundje të tjera të kafshëve. Këto kërkime e zgjeruan veprimtarinë e tij drejt mjekësisë tropikale dhe parazitologjisë.
Kohu botoi artikuj, monografi dhe raporte mbi antraksin, tuberkulozin, kolerën, metodat bakteriologjike dhe sëmundjet tropikale. Pas vdekjes, punimet e tij u përmblodhën në veprën Veprat e mbledhura të Robert Kohut, të botuar në vitin 1912.
Për arritjet shkencore, Kohu u zgjodh anëtar i huaj i Shoqërisë Mbretërore të Londrës më 1897, anëtar i huaj nderi i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave më 1901 dhe anëtar i huaj i Akademisë Franceze të Shkencave më 1902. Vlerësimin më të lartë e mori në vitin 1905, kur iu dha Çmimi Nobel për Fiziologji ose Mjekësi për kërkimet dhe zbulimet e tij në lidhje me tuberkulozin.
Kohu ndërroi jetë më 27 maj 1910 në Baden-Baden, në moshën 66-vjeçare, pas një ataku në zemër. Nga një mjek provincial që punonte në një laborator të ngritur në shtëpi, ai u shndërrua në shkencëtarin që vendosi standardet e laboratorit modern bakteriologjik dhe krijoi themelet e diagnostikimit, parandalimit dhe luftës moderne kundër sëmundjeve infektive.