28/08/2026
Kjo grue e jashtëzakonshme quhet Franca Viola.
I kishte veç 17 vjet më 1965, kur Filippo Melodia – nji kriminel i njohun dhe nip i nji bosit lokal të mafies – mbas nji periudhe t’gjatë kërcënimesh e shantazhesh, u fut me dhunë n’shpi të saj në Alcamo, bashkë me 13 djem t’armatosun.
Ata e shkatërruen krejt banesën, e rrahën randë nanën e Francës dhe e rrëmbyen Francën bashkë me vëllain e saj të vogël, Marianon, që iu kishte kap për kambësh, e s’shkëputej prej saj. Vëllain e lanë mbas pak orësh. Po Francën jo. E rrëmbyen me dhunë…
Franca i kaloi 5 ditë e mbyllun në nji kasolle në fushë, e ma vonë në shpi të motrës së mafiozit Melodias. Mbas nji jave të lidhun për krevati, pa bukë e n’gjumë gjysmak, tue e poshtërsu, tue e ofendu, ai e përdhunoi.
Më 2 janar, kur policia e gjeti Francën dhe e çliroi, Melodia ishte i bindun se gjithçka do të mbyllej me të ashtuquajturën “martesë riparuese”, që asokohe konsiderohej normë. Dmth viktima detyrohej të martohej me dhunuesin.
Por këtu, nji histori tragjike si e qindra grave tjera, kjo ngjarje merr kahje krejt tjetër – dhe e ndryshon jo vetëm jetën e Francës, por të tanë Italisë.
Franca refuzon me u martu me Melodinë. Vendos me dal hapun përpara nji opinioni publik hipokrit e të tronditun, tue e deklaru veten “e turpnueme”.
Kjo s’kishte ndodh kurrë ma parë.
Ajo kishte kundër vetes:
-Shtetin italian,
-Mafien, dhe
-Shoqninë patriarkale e të kalbun që e trajtonte si “gabim” të padëshirueshëm.
Veç nji njeri ishte përkrah saj: i ati, Bernardo, që asnjiherë s’e la vetëm dhe u bë palë civile në gjyq, tue e rreziku edhe vendin e punës.
Në atë gjyq historik, Franca Viola shqiptoi fjalët që edhe sot tingëllojnë si kambanë, por në Italinë e viteve '60 ishin si blasfemi.
📜 “UNË NUK JAM PRONË E ASKUJ”
“Askush s’mundet me më detyru me dashtë dikë që s’e respektoj.
Turpin nuk e ka ai që pëson, por ai që bën këso gjanash.”
Mbas muajsh baltosje, ofendimesh, kërcënimesh e tmerri, dhunuesi Melodia dhe bashkëpunëtorët e tij u dënuen me 11 vjet burg.
Franca Viola fitoi. U martu me dikë tjetër dhe e rimori jetën e saj.
Por duhej pritë deri më 1981, që me ndihmën e guximit dhe qëndresës së saj, “martesat riparuese” dhe “krimi i nderit” të zhdukeshin nga kodi penal i Italisë nji herë e përgjithmonë.
Edhe sot, mbas gjysmë shekulli, kur ndonjani prej atyne që e keqtrajtuen Violën e takojnë në rrugë, e ulin kryet – se nuk ua mbanë me ia pa sytë.
🕊️ Kur flasim për dhunë ndaj grave, abuzim, diskriminim gjinor, patriarkalizëm të kalbun, kjo histori qëndron aty si dëshmi e fuqishme, që na kujton se të drejtat që sot i marrim si të mirëqena, janë fitue copë-copë, hap mbas hapi, me shumë sakrificë dhe dhembje të paimagjinueshme – prej grave si Franca Viola.
Nji grue e madhe. Nji italiane që e ndryshoi historinë jo vetëm në Itali.🇮🇹