31/03/2025
Letizia ishte një nxënëse e imja në një shkollë të një vëndi malor. Kishte njëmbëdhjetë vjeç.
Njëmbëdhjetë vite të kaluara duke njohur lodhjen, privimet, ashpërsinë e jetës.
Gjithmonë me të njëjtat rroba, që kalonin dorë më dorë midis vëllezërve, nga nevoja.
Njëmbëdhjetë vite duke luftuar me insektet dhe vështirësitë, ditë e natë.
Hunda i rridhte vazhdimisht, si një qiri i ndezur.
Flokët e gjatë, të zbehur, plot me morra.
E megjithatë, ishte gjithmonë ndër të parat që mbërrinte në shkollë.
Ndoshta shkonte aty për të marrë frymë në ato pak çaste kur ende ishte e mundur të ëndërrojë. Edhe pse, për ta bërë këtë, duhej të përballonte shikimet e ashpra dhe refuzimin e të tjerëve.
Kur formoheshin grupet, askush nuk e donte pranë.
Asnjëherë nuk iu dha mundësia të tregonte vlerën e saj: ajo që njohu ishte vetëm përjashtimi.
Më godiste fakti që disa djem, në të njëjtat kushte, pranoheshin. Ajo jo. Vajzat e shmangnin më shumë se të tjerët.
Unë, si mësues, mund të bëja vetëm rekomandime. Kurrë të dëgjuara.
Në ato kohëra pyesja veten:
Ç’dobi ka të lexosh përralla fëmijëve që nuk kanë as bukë për të ngrënë?
A mund ta mbushë fantazia një zbrazëti kaq të madhe?
Unë besoja se po, por nuk dija deri në ç’pikë.
Prandaj, vazhdoja të rrëfeja. Dy herë në javë, në orën e leximit, u ofroja tregime, ëndrra, arratisje.
Një ditë lexova "Hirushen". Kur tregova për shndërrimin e saj: fustanin magjik, këpucët prej kristali... Letizia shpërtheu në një duartrokitje entuziaste, sikur të ishte dëshmitare e një mrekullie të vërtetë.
Në fytyrën e saj pasqyrohej një shpresë aq e thellë, saqë menjëherë shkaktoi talljen e atyre që as nuk mund ta imagjinonin një shpresë të tillë.
Atëherë i qortova ata që qeshën. Por nuk mjaftoi.
Një herë tjetër, pyeta klasën se çfarë dëshironin të bëheshin kur të rriteshin.
Dhe ëndrrat u shpalosën: astronautë, mësues, artistë.
Kur erdhi radha e Letizias, ajo u ngrit dhe me një zë të fortë tha:
"Dua të bëhem doktoreshë."
Shpërtheu një e qeshur mizore.
Ajo uli shikimin, u ul mbi bankë, duke thirrur në heshtje një zanë të mirë që nuk erdhi kurrë.
Koha ime në atë shkollë mbaroi me fundin e vitit shkollor.
Dhe jeta vazhdoi.
Shumë vite më vonë, u ktheva në ato anë. Tani me një punë të qëndrueshme, më shumë përvojë, disa siguri më shumë... dhe ende shumë pyetje pa përgjigje.
Dhe ja, në një ditë të zakonshme, duke hipur në një autobus, ndodhi surpriza.
Një grua e re, elegante në bluzën e saj të bardhë, më pa dhe tha:
"Ju keni qenë mësuesi im!"
"Ai që dinte të magjepste gjarpërinjtë me tregime…"
Buzëqesha, i befasuar.
"Pikërisht unë," i thashë.
"Më mbani mend? Jam Letizia… dhe sot jam doktoreshë."
M’u rikthyen të gjitha kujtimet: vajza e përjashtuar, e përqeshur, e vetmuar... ishte aty para meje, në këmbë, krenare, e realizuar.
Zbriti nga autobusi duke më lënë pa fjalë, por me zemrën plot.
Më tha vetëm: "Ejani të më vizitoni. Punoj në një klinikë…" dhe pastaj u zhduk.
Një ditë shkova vërtet për ta kërkuar. Por askush atje nuk e njihte.
Mendova se ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë.
"Përrallat janë të bukura, por mbeten përralla," i thashë vetes, i zhgënjyer.
Por më pas takova një drejtoreshë të sjellshme, e cila më tregoi:
"Po, Letizia ka punuar këtu. Është një person i mrekullueshëm. Kujdeset për të gjithë me dashuri, veçanërisht për ata që kanë më shumë nevojë."
"Është vërtet ajo!" thirra.
"Por tani nuk është më këtu. Ka fituar një bursë dhe tani ndodhet jashtë shtetit, për t’u specializuar."
Letizia vazhdon të mësojë. Dhe të më mësojë, me historinë e saj, se ëndrrat janë të mundshme.
Unë vazhdoj të pyes veten: deri ku mund të arrijë fuqia e fjalëve?
Çfarë mund të bëjë vërtet një mësues?
Kur filloi fluturimi i Letizias, ndërsa të gjithë ia prisnin krahët?
Nuk dua të jem më mësuesi i Letizias.
Tani dua të bëhem nxënësi i saj.
Dua që ajo të më mësojë se si një krimb kthehet në engjëll.
Dhe, mbi të gjitha, cila ishte shkopi magjik që e shndërroi në protagonisten e përrallës së saj.
Fuqia e mrekullueshme e fjalëve.❤️