12/08/2026
Në Spitalin e Vushtrrisë, çifti që kishte 6 vajza bëhet me dy djem binjakë, edhe një grua tjetër lind dy vajza binjake
VUSHTRRI, 12 GUSHT 2026 (Vushtrria Press)—Lajm i mirë nga Spitali i Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri. Sot, në këtë spital janë kryer me sukses dy lindje me prerje cezariane, nga të cilat kanë ardhur në jetë dy djem binjakë dhe dy vajza binjake.
Rasti është veçanërisht i veçantë për një nga familjet, pasi dy djemtë binjakë kanë ardhur në jetë pasi çifti kishte pasur më herët gjashtë vajza.
Sipas njoftimit të Spitalit, nënat dhe katër foshnjat e porsalindura janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Operacionet janë realizuar me sukses nga ekipi i Repartit Gjinekologjik-Obstetrik, nën udhëheqjen e Dr. Blerim Fekës.
“Falënderojmë stafin mjekësor për përkushtimin profesional, si dhe familjet për besimin e dhënë! E gjithë kjo punë profesionale e stafit po bëhet me mbështetjen e Drejtorit Ekzekutiv të spitalit, Besim Muzaqi”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm “Sheikh Zayed”.
———
📸: Në Spitalin e Vushtrrisë, çifti që kishte 6 vajza bëhet me dy djem binjakë, edhe një grua tjetër lind dy vajza binjake
———
➡️Videot, fotot, shkrimet, opinionet, komentet e lexuesve, sondazhet online, reagimet apo intervistat nga politika dhe shkrimet nga fushata zgjedhore nuk paraqesin qëndrimin e redaksisë së Vushtrria Press