
08/21/2025
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka dhënë një deklaratë për mediat ku akuzon qeverinë për krijimin e një afere të rëndë korruptive që cënon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të vendit.
Sipas Balliut, në maj 2024, kryeministri Edi Rama themeloi shoqërinë ‘KAYO’, duke emëruar në krye ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe i dha kësaj shoqërie kompetenca të jashtëzakonshme për kontrata dhe negociata me kompani private në industrinë e armëve, me vendim të firmosur nga Belinda Balluku.
Ai thekson se një nga kompanitë e përfshira, TIMAC shpk, është promovuar personalisht nga Rama dhe më 17 qershor 2025, 49% e aksioneve të saj u sh*ten për vetëm 490 euro mikut të afërt të kryeministrit, Ron Yeffet. Balliu thekson lidhjet e dyshimta të Yeffet me projekte dhe afera financiare brenda dhe jashtë vendit.
Pas këtij transaksioni, KAYO ka bashkëthemeluar me TIMAC kompaninë TIMAC Defence dhe me MSSC kompanitë MKD dhe GUNA Tactical, të gjitha me kapital të vogël dhe sipas PD-së, me mungesë transparence dhe kritere ligjore të paqarta.
Sipas Balliut, KAYO ka ndërhyrë gjithashtu në ambientet e televizionit News24 duke shkelur vendimet gjyqësore, për të uzurpuar hapësirat e tij, duke rritur shqetësimin për sigurinë kombëtare.
Partia Demokratike i bën thirrje institucioneve shtetërore të kryejnë hetim të plotë dhe transparent mbi ligjshmërinë dhe kriteret e këtyre kompanive, duke ndaluar çdo veprim që mund të rrezikojë pasuritë strategjike dhe pronat ushtarake të vendit.
“Ky skandal nuk është vetëm financiar, por lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe integritetin e institucioneve,” përfundon Balliu, duke siguruar se PD do të ndjekë çështjen deri në fund.
Deklarata e plotë:
Partia Demokratike denoncon me forcë një aferë të re dhe tepër të rëndë korruptive, e cila cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të vendit.
Në maj të vitit 2024, kryeministri Edi Rama krijoi shoqërinë ‘KAYO’, duke emëruar në krye ish-drejtorin famëkeq të Policisë së Shtetit, Ardi Veliun. Me vendim qeverie, kësaj shoqërie iu dhanë kompetenca të jashtëzakonshme për të lidhur kontrata dhe negociata me kompani private në fushën e industrisë së armëve me vendim qeverie te firmosur nga Belinda Balluku.
Një nga kompanitë e përfshira është TIMAC shpk, e cila është promovuar personalisht nga vetë Edi Rama. Ai e ka ftuar pronaren e saj, znj. Arjeta Puca , në podcast-in e tij dhe madje e ka vizituar disa herë në ambientet e kompanisë në Kashar. Në datën 17 qershor 2025, znj. Puca sh*ti 49% të aksioneve të TIMAC shpk për vetëm 490 euro mikut të afërt të Edi Ramës, z. Ron Yeffet, një emër i lidhur me disa afera të dyshimta financiare.
Sipas burimeve publike dhe dëshmive politike:
Z. Yeffet është përmendur nga zv/kryeministri i kohës si personi që kërkonte të blinte borxhin e, gjë që u refuzua nga z. Arben Ahmetaj. Po ashtu, ai ka tentuar të blejë pronën e Ambasadës së Shqipërisë në SHBA për të ngritur rezidenca private, një projekt i refuzuar nga Ministria e Jashtme.
Emri i tij është lidhur edhe me aferën e Air Albania.
Për më tepër, në Senegal, një marrëveshje e tij me qeverinë e kohës u anulua dhe po hetohet për korrupsion nga autoritetet e reja.
Vetëm pak javë pas këtij transaksioni të dyshimtë, më 4 gusht 2025, KAYO bashkëthemeloi me TIMAC shpk kompaninë TIMAC Defence, ku 80% zotërohen nga TIMAC dhe 20% nga KAYO e Ardi Veliut, me kapital fillestar prej vetëm 35 mijë eurosh.
Në të njëjtën kohë, më 1 gusht 2025, KAYO bashkëthemeloi me kompaninë MSSC (në pronësi të Emiljano Dushës) kompaninë MKD, Myslym Keta Defence, me administrator Gentian Karaj, ku MSSC zotëron 80% dhe KAYO 20% të aksioneve, sërish me kapital minimal prej 35 mijë eurosh.
Më tej, më 1 gusht 2025, KAYO dhe MSSC themeluan edhe kompaninë GUNA Tactical, ku MSSC zotëron 49% dhe KAYO 51% të aksioneve, me kapital të njëjtë prej 35 mijë eurosh.
Ajo që e bën aferën akoma më të rëndë është fakti se vetëm dy javë pas krijimit të këtyre kompanive, KAYO ndërhyri me forcë dhe në shkelje të hapur të ligjit, duke mos respektuar vendimet gjyqësore, për të uzurpuar ambientet e televizionit News24, pavarësisht se ky i fundit kishte kontratë të vlefshme deri në vitin 2033.
Të gjitha këto kompani, me kapital qesharak, pretendohet se do të ndërtojnë industrinë e prodhimit të armëve në Shqipëri, një projekt jo vetëm i pashembullt në absurditetin e tij, por edhe thellësisht i rrezikshëm për shkak të mungesës së transparencës, kritereve ligjore dhe garancive të sigurisë.
Si rrjedhojë këtu lindin disa pyetje, Sipas cilave kritere janë përzgjedhur këto kompani?
A kanë këto kompani certifikata sigurie dhe eksperiencë në industrinë e mbrojtjes? Si është e mundur që gjysma e një kompanie të sh*tet për vetëm 490 euro? Kush mbron interesat kombëtare në një proces kaq delikat?
Partia Demokratike i bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore, përfshirë organet e drejtësisë, që:
Të nisin menjëherë një hetim të plotë dhe transparent për këtë aferë. Të verifikojnë ligjshmërinë, kriteret dhe standardet e sigurisë kombëtare të kompanive të krijuara. Të ndalojnë çdo veprim që rrezikon pasuritë strategjike dhe pronat ushtarake të vendit.
Kjo aferë nuk është thjesht një skandal financiar. Ajo lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe me integritetin e institucioneve tona.
Partia Demokratike do të vijojë ta ndjekë këtë çështje deri në fund, në mbrojtje të interesit publik dhe të sigurisë së vendit.